titulli i modifikuar

 

Home| Forumi

 

partizani para stafit                   Kampionati : Partizani - Lushnja 0-1

Kampionati : Partizani - Lushnja 0-1

Të kuqtë kanë mbyllur një javë problematike me një humbje që u kushton vendin e dytë, por mbeten pretendent dhe në fazën e dytë pritet sprinti i “demave”
Nga ILIR CARA
Partizani – Lushnja 0-1
Shënues Galica 32’
Partizani: Malaj, Duqi, Shala, Alcani, Pashaj (Hithi 69’), Tafa, Lini (Buliq 75’), Karakaçi (Nika 80’), Thana, Sulçe, Gjoka. Trajner: G. Tomori
Lushnja: Spaho, Grizha, Ndoni, Stojkoviç, H. Koreshi, Re. Sula, Byzhyti, E. Koreshi (Allkanjari 90+2’), Çela (Rr.Sulo 90+3’), Galica, Canka (Metushi 46’). Trajner: A. Bano
Gjyqtarë: L. Jemini, (Tiranë), G. Koka (Lezhë), M.Dervishi (Shkodër)
Kartona të vedhë:, Pashaj, Alcani, Sulçe, Hithi, Thana/ Galica, Re. Sula Grizha (2)
Kartona të kuq: Duqi 66’/Grizha 76’
Partizani nuk ka arritur të ndalë kryesuesit e Lushnjës, të cilët në “Qemal Stafa” kanë fituar me rezultatin 0-1, falë golit të Galicës të shënuar në minutën e 32-të. Me këtë fitore Lushnja e mbyll fazën e parë me 36 pikë në vend të parë, 7 pikë më shumë se Mamurrasi i vendit të dytë, ndërsa Partizani zbret i treti me 9 pikë më pak se kryesuesit lushnjarë. Takimi u zhvillua në stadiumin kombëtar me drita, por në kushte aspak të përshtatshme për një ndeshje futbolli. Terreni ishte në limitet e lejueshme që në fillim, por e gjithë ndeshje u zhvillu nën reshjet e dendura dhe në pjesën e dytë në rreth 2/3 e fushës topi nuk qarkullonte, pasi kishte pellgje uji. Gjithsesi, gjyqtarët e panë të arsyeshme që ndeshja të vijonte, ku të dy ekipet e kishin përqendruar lojën tek sistemi: Bjeri t’i biem. Nuk bëhej fjalë që të luhej me topa të ulët. Gjithsesi terreni ishte i njëjtë për të dy ekipet dhe gjersa u pranua të luhej nuk ka justifikim nga asnjëra palë.
Pjesa e parë  Partizani, i etur për të fituar dhe me dëshirën për ta mbyllur me fitore fazën e parë, fitore e cila do t’i siguronte vendin e dytë, e nisi vrullshëm takimin.  Në minutën e dytë vjen rreziku i parë për portierin Spaho. Goditje dënimi nga e majta në pozicion diagonal. Gjuan Lini dhe topi “stampohet” në traversë. Në minutën e tetë të kuqtë sërish kanë një mundësi me Linin, por kësaj radhe nga e djathta. Në këtë rast mesfushori e dërgon topin tokas, por devijimi i Gjokës e nxjerr topin jashtë. E vetmja mundësi në këtë takim ishte që të rrezikosh portën kundërshtare me gjuajtje nga distanca, apo duke shfrytëzuar goditjet standarde. Në minutën e 22-të të kuqtë sërish kanë një mundësi me Linin që gjuan bukur një goditje dënimi, por portieri Spaho e grushton topin. Minuta e 32-të.  Lushnja me mundësinë e parë arrin të mposhtë Partizanin. Byzhyti godet nga distanca, portieri Malaj e ndalon gjuajtjen, por nuk e zotëron topin, i cili mbetet në baltë dhe Galica i vëmendshëm e prek topin para portierit dhe dërgon në rrjetë, 0-1 për Lushnjën. 0-1 mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë Në pjesën e dytë ritmi është më i ulët, pasi ndihej lodhja e pjesës së parë. Në pjesën e dytë terreni u rëndua më shumë dhe në disa raste dukej sikur shikohej ndeshje vaterpoli dhe jo futbolli. Ndeshja ngjante me një ndeshje gladiatorësh e jo përballje futbolli. Në minutën e 61-të Duqi nga e djathta dërgon në zonën lushnjare dhe Grizha në tentativë për ta larguar topin e prek me dorë. Gjyqtari Lorenc Jemini akordon 11-metërsh, që kontestohet nga miqtë. Në minutën e 63-të Thana merr përsipër gjuajtjen nga pika e bardhë. Topi i gjuajtur nga mesfushori ishte i ulët dhe terreni i rënduar i vjen në ndihmë portierit Spaho për ta pritur topin. Në minutën e 66-të kemi një kundër-zbritje të Lushnjës dhe kapiteni Çela ndalet nga parapa nga mbrojtësi Duqi, që ndëshkohet me karton të kuq dhe Partizani mbetet me 10 vetë. Por 10 minuta më vonë edhe Lushnja mbetet me 10 vetë, pasi Grizha merr kartonin e dytë të verdhë. Përpos ndërrimeve dhe dëshirës së Partizanit për të barazuar i gjithë takimi u mbyll me fitoren e Lushnjës, e cila e pret me qetësi fazën e dytë, ndërsa Partizani e ka të domosdoshëm që të hyjë në merkato, sepse i duhet të plotësojë shumë hapësira.
Drejtuesit garantojnë Partizan superlige  në fazën e dytë
Përpos humbjes së fundit me Lushnjën, drejtuesit i garantojnë tifozët se në fund të sezonit Partizani do ta realizojë objektivin, pasi në merkaton e dimrit pritet që skuadra të ketë përforcime të shumta. Gjithashtu drejtuesit japin garanci se në fazën e dytë te Partizani nuk do të ketë probleme financiare dhe ajo që u dëgjua në fazën e parë nuk do të jetë më pjesë e të kuqve. Prandaj me ndryshimet e shumta që do të ndodhin garantohet një Partizan, i cili nuk do ta diskutojë ngjitjen në superligë. Gjithsesi, nga drejtuesit mësohet se Nikolin Çoçlli vazhdon punën si trajner i Partizanit. Për një javë skuadra do të pushojë dhe më pas do të nisin përgatitjet për fazën e dytë.
Thanë pas ndeshjes
Nikolin Çoçlli, trajner i Partizanit:  “Ndonëse kaluam një javë të sikletshme e përgatitëm për fitore ndeshjen. E menduam ta fitojmë ndeshjen duke u bazuar te karakteret që tek ne ndodhen. Këto karaktere u munduan të dalin në pah, por për fatin tonë të keq ndeshja u humb nga një terren i rënduar, si dhe fati i kundërshtarit, që rastin e vetëm që iu paraqit shënoi. Loja  bazohet tek qarkullimi i topit, cili në atë terren nuk mund të zbatohej dhe detyruam të luajmë me topa të gjatë. Në një terren të tillë nuk bëhej fjalë për ndeshje futbolli, por për ndeshje gladiatorësh. Dua të falënderoj të gjithë tifozët që na kanë përkrahur, pasi ata kanë treguar se janë arma jonë e fortë. Të gjithë duhet të jenë krenar për këtë ekip që është mundur të japë maksimumin përpos vështirësive që kemi kaluar duke qenë pretendent. E ardhmja ime?  Për fazën e dytë po pres projektin e ri që kanë vendosur drejtuesit, megjithatë jam trajner dhe për sa kohë jam në punë i përkushtohem në maksimum.
Artan Bano, trajner i Lushnjës: ”Ishte një ndeshje që kishte vlerën e 6 pikëve dhe vinim për të fituar e jo për të luajtur futboll të bukur. Terreni nuk na la duke qenë në disfavorin tonë, pasi futbollistët tanë duan të luajnë me topin. Fillimi nuk qe i mirë, pasi na u desh të ambientohemi me terrenin, pastaj e përmirësuam lojën, shënuam dhe administruam fitoren deri në fund. Lushnja në këtë takim mori 6 pikë, sepse i hoqëm tre pikë ndjekësit më të afërt dhe jemi më komod për fazën e dytë dhe shkojmë drejt realizimit të objektivit, ngjitje në Superligë.”
Të veçanta
-         Ndonëse kushtet atmosferike ishte të vështira, tifozët e të dy kampeve nuk i braktisën skuadrat, ku të pranishëm ishin rreth 2 mijë shikues. Të shumtë ishin të ardhurit nga Lushnja që mbështetën ekipin e tyre. Ndërsa një grup ultras të kuq e kanë ndjekur të gjithë takimin në tribunën përballë pa pyetur për reshjet e shiut. Ky grup tifozësh të njohur si “Guerrils” para ndeshjes hapën një banderolë të madhe me karakter nacionalist: Shqiptari mos e qetë, zgjohu të bëjmë nëntorin e tretë.
-         Punëtorët e fushës bënë të pamundurën që të me disa dërrasa të improvizuara largonin ujin nga fusha, por ishte e pamundur.
-         Tribuna “VIP” ishte e tejmbushur me drejtues të të dy kampeve, ku të pranishëm ishin Lulëzim Sallaku president i Partizanit dhe Fatos Tushe kryebashkiaku i Lushnjës.
-         Futbollistët e Partizanit edhe në këtë takim kanë vënë fanellën para interesit personal, pasi nga stadiumi “Qemal Stafa” janë larguar pa marrë të ardhurat e premtuara.
-         Në këtë takim të kuqtë janë drejtuar nga trajneri Genc Tomori, pasi trajneri Çoçlli ishte i pezulluar nga kartoni i kuq që mori në ndeshjen e fundit në Lezhë